Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë dalë me një videomesazh ku kanë dënuar gjuhën e urrejtjes ndëretnike.
Ata kanë thënë që akterët e mbishkrimeve kërcënuese dhe nxitëse në shtëpitë e shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut” do të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë.
“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste, të cilat nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, ka thënë Sveçla në një video të publikuar në Facebook nga Krasniqi.
“Çfarëdo gjuhe e urrejtes ndëretnike, çfarëdo gjuhe që ndjellë dhunë është e dënueshme. Akterët do të zbulohen dhe do të vihen para drejtësisë. Siç e kemi thënë edhe më herët, për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë”, ka thënë Sveçla.
Në anën tjetër, Krasniqi tha se qeveria kosovare do t’ua garantojë qytetarëve të drejtën elementare për kthim në shtëpitë e tyre.
“E drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre është e drejtë për secilin qytetar, është e drejtë elementare dhe Qeveria e Kosovës do ta garantojë këtë drejtë”, ka thënë Krasniqi.
“Vitin që e lamë pas si qeveri kemi filluar ndërtimin e mbi 40 shtëpive në katër komunat veriore”.
“Sigurisht se këto grafite tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe nuk është e interesuar që të ketë orientimin evropian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia. Por neve si qeveri këto nuk na trembin dhe nuk do të ndalim me ndërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët”.
Krasniqi tregoi që shumë shpejt do të hapet thirrja e re në vlerë prej tre milionë eurosh për ndërtimin e shtëpive të reja për shqiptarët në katër komunat veriore: Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
“Do të vazhdojmë të ndërtojmë shtëpi, sepse kjo është e drejtë elementare për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai