Për çështjen e ligjit për shëndetin riprodhues, deputeti Burim Meta ka shtuar se duhet të kalojë edhe në lexim të tretë dhe të harmonizohet.
Sipas tij, secili fëmijë duhet të ketë një baba e një nënë, e në të kundërtën, ai penalizohet.
“Ky ligj duhet të kthehet edhe në lexim të tretë, që të harmonizohet në bazë të kërkesave të qytetarëve. Ky ligj duhet të diskutohet akoma më shumë, është moment i ngutshëm…Deputetët që s’po e votojnë një ligj të tillë, s’po e pamundësojnë që të bëhet në spitalin publik. Nëse nesër rriten kapacitetet, me udhëzimin administrativ mund të bëhet kjo”, ka thënë deputeti Meta.
Meta ka thënë se me ligjin për shëndetin riprodhues rrezikohet që në të ardhmen të shkaktohet incesti.
“Një fëmijë duhet të ketë një nënë e një baba. Është koncepti biologjik. Unë s’po ua mohoj grave këtë…Ka raste kur fëmijët mund të kthehen pas disa vitesh dhe të thonë ‘ku e kam unë babanë tim’. Pse të penalizohet e drejta e të pasurit të dy prindërve. Një person që është baba e ka një fëmijë, që shkon edhe jashtë vendit e jep një qelizë të tij mashkullore, e pas një kohë, ai ka edhe një fëmijë diku tjetër. Pavarësisht se ku është implikuar ajo qelizë, s’ka lidhje gjaku me atë person. Në një të ardhme të afërt, kur një fëmijë është i rritur e pritet të rritet, mund të përbashkohen këta të dy”, ka thënë deputeti Meta