Adelina Ismaili njoftoi të premten se RTK-ja i ndaloi transmetimin e emisionit “Shoë i së premtes”, sipas vendimit që siç tha ajo ishte marrë nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit të televizionit shtetëror. Lidhur me këtë ka reaguar teologu, Drilon Gashi, i cili ishte i ftuar në episodin e fundit të emisionit të Ismailit, dhe ky episod do të transmetohej (dje) të premten.
“Të dashur miq. Me shumë zhgënjim dua të ndaj me ju lajmin, se pavarësisht pritjeve dhe përgatitjeve të bëra, emisioni ku isha i ftuar në RTK, ‘Shoë i së Premtes’ me moderatoren Adelina Ismaili nuk u transmetua siç ishte paraparë”, shkroi Gashi në një postim në llogarinë e tij në Facebook. Sipas teologut, ky vendim nga stafi editorial i RTK-s u mor për shkak të çështjes gjyqësore në të cilin kishte qenë i përfshirë ai shtatë vjet më parë.
“Emisioni, i cili synonte të adresonte çështje të ndjeshme dhe të rëndësishme për komunitetin tonë, duke përfshirë kombin, kulturën, fenë dhe shoqërinë moderne, u anulua nga stafi editorial i RTK-së për arsye që më prekin personalisht dhe që lidhen me një episod të shkuar të jetës sime”, deklaroi ai.
“Shtatë vjet më parë, pata një çështje familjare që rezultoi në një vërejtje gjyqësore, një çështje që e kam zgjidhur dhe mbyllur që atëherë, duke punuar pa pushim për të ndërtuar një jetë të lumtur dhe të qëndrueshme me familjen time. Është e dhimbshme që kjo ngjarje e kaluar po përdoret tani si justifikim për të më diskriminuar dhe mohuar mundësinë për të marrë pjesë në një diskutim publik që mendoj se ka rëndësi të madhe për të ardhmen e shoqërisë sonë”, theksoi mes tjerash Gashi.
Teologu Drilon Gashi ka qenë i akuzuar asokohe për dhunë në familje, derisa ishte dënuar për këtë nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij.
Ende nuk dihet nëse anulimi i këtij episodi ka të bëjë me të shkuarën e Gashit dhe se do të vazhdojë tutje transmetimi i emisionit të këngëtares Ismaili.