Gjatë dëshmisë së tij në DhSK dëshmitari Shaun Burnes pohoi se Gjergj Dedaj pak ditë pas lirimit ku po mbahej i ndaluar nga UÇK-ja i kishte thënë se Sabit Geci i kishte rrahur anëtarët e LDK-së dhe se për këtë gjë ishte përgjegjës Hashim Thaçi.
Fillimisht, prokurori Fernandez citoi deklaratën e dëshmitarit të dhënë për ZPS-në kohë me parë, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Në deklaratën tuaj thoni dhe po citoj: Kur fola me Dedaj pas lirimit të tij më tha se anëtarët e grupit i rrahu Sabit Geci, por tha që Hashim Thaçi ka qenë përgjegjës, por personalisht nuk kishte rrahur askënd. Dedaj ishte këmbëngulës që unë të mos flisja për përfshirjen e UÇK-së publikisht dhe unë nuk fola publikisht për këtë”, tha Fernandez.
Ndërsa, dëshmitari tha se këtë gjë Dedaj ia kishte thënë një ose dy ditë pas lirimit.
“Nuk me kujtohet saktësisht periudha kohore por ka qenë shumë afër , shumë shpejtë pas lirimit të ti, mbase 1-2 ditë pas”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se iniciatori i këtij takimi ishte vetë ai pasi dëshiroi të mësojë lidhur me rrethanat dhe trajtimin e këtyre personave të cilët ishin mbajtur të ndaluar.
“Unë dhe Departamenti i Shtetit deshëm që të mësonim lidhur me rrethanat e trajtimit të të burgosurve gjatë kohës që ishin rrëmbyer”, tha dëshmitari.
Prokurori Fernandez lexoi serish një deklaratë të dëshmitarit ku thuhet se Dedaj i kishte kërkuar që ta mos përmendej UÇK-ja lidhur me këtë rast për shkak se kishte frikë nga hakmarrja e tyre.
“Përgjigje; Dedaj me tha se kishte frikë se mos merrnin hak dhe donte ta lite UÇK-në jashtë kësaj publikisht”, tha prokurori ndërsa dëshmitari tha se kjo është saktë se çfarë i kishte thënë Dedaj.
Dëshmitari Burnes pohoi se ka pasur kontakt me Dedajn edhe pas shtatorit të vitit 1998 duke thënë se ai nuk e kishte ndryshuar ndonjëherë versionin e tij për atë se çfarë kishte ndodhur në Qirez.
Në një intervistë të mëhershme për ZPS-në dëshmitari kishte thënë se ishte takuar edhe me Agim Krasniqin i cili pretendohet se ka qenë i ndaluar tjetër në Qirez. Sipas tij, Krasniqi kishte thënë se ishte marrë në pyetje nga Hashim Thaçi dhe se dëshmitarit për këtë gjë i kishte treguar pak ditë pas lirimit.
Dëshmitari u pyet edhe për dy anëtarë të tjerë të LDK-së të cilët pretendohet se janë arrestuar me 30 tetor dhe janë liruar me 27 nëntor 1998 nga anëtarët e UÇK-së.
“Me kujtohet që këtë dy persona u mbajtën të ndaluar diku në mes Malishevës dhe Kjevës dhe mësuam për arrestimin e tyre nga përfaqësues të LDK-së dhe pas kësaj kontaktuam Tojkën dhe u kërkuam informacione për rrëmbimin. Bardhyl Mahmuti na tha se ata ishin arrestuar se kishin bashkëpunuar me Policinë Serbe dhe kishin inkurajuar vendasit që të dorëzonin armët dhe po ashtu na thanë se ishin trajtuar mirë dhe se mund të zgjidhnin avokat për t’i përfaqësuar në gjykim dhe ishim skeptik për këto që na thanë”, tha Fernandez duke lexuar pjesë nga deklarata e dëshmitarit të dhënë më herët për ZPS-në
Dëshmitari tha se Mahmuti nuk bënte pjesë në ekipin e Jakup Krasniqit.
“Nëse e kuptoj siç duhet pyetjen tuaj, ai m’i ka thënë mua këto. Mua m’i ka thënë por a mund të bëjë një korrigjim të vogël? Z.Mahmuti nuk ka qenë anëtarë i Trojkës. Trojka kishte Jakup Krasniqin, Sokol Bashotën dhe Ram Bujën të cilët i kishim thirr në telefon kur mësuam nga LDK-ja për rrëmbimin e këtyre dy anëtarëve të LDK-së jashtë Prishtinës. Z.Mahmuti me sa kam kuptuar unë ka qenë në Gjenevë. Ka qenë person i kontaktit kur dëshironim të siguroheshim që Trojka dhe eprorët e kuptonin që ishim vërtetë të interesuar që të zgjidhnim një aspekt të caktuar”, tha dëshmitari duke thënë se ishte ai që kishte kontaktuar me telefon Mahmutin.
Dëshmitarit iu prezantua një video në të cilën ai identifikoi Jakup Krasniqin, një diplomat amerikan, Lorens Rosen dhe Ram Bujën.
Ndërsa, pas kësaj, atij iu prezantua një dokument për të cilin tha se ishte konfiskuar në shtëpinë e Jakup Krasniqit në Prishtinë në nëntor të vitit 2020.
“Siç shihet në këtë dokument, në krye thuhet; Takim me z.Lorens Rosin- drejtor për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së. Në paragrafin e dytë thuhet citoj; fillimisht z.Rosi falënderoi delegacionin tonë, përfshirë Bardhyl Mahmutin, Ramadan Avdiun, Bilal Sherifin dhe Agush Bujen dhe shprehu mirënjohjen e tij për gatishmërinë e tij për të na takuar dhe për të shkëmbyer ide për sa i takon situatës politike dhe të sigurie në Kosovë’, mbyllë citimin”, tha prokurori Fernandez
Për Lorens Rosin dëshmitari tha se ka qenë diplomat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Elis tha se kundërshton përdorimin e dokumenteve të sekuestruara nga shtëpia e klientit të tij.
Megjithatë, këto dokumente u pranuan si prova materiale e që u klasifikuan si konfidenciale
.