Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ka qenë inert reagimi i Kosovës ndaj arrestimit të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, dhe sipas tij shpërfaq mungesën e mbështetjes serioze për komunitetin serb në institucionet tona.
Në një postim të bërë në Facebook, Haradinaj ka thënë se institucionet shtetërore të Kosovës duhet të japin ultimatum për lirimin e atyre që janë arrestuar.
“Reagimi inert dhe vetëm deklarativ shtetëror i Kosovës për arrestimin e Zv. Drejtorit Jankoviç dhe policëve të Kosovës në Serbi, shpërfaq mungesën e mbështetjes serioze dhe pasigurinë për pjesëtarët e komunitetit serb në institucionet e sigurisë së Kosovës.
Qeveria, Presidenca, MPB dhe MPJ do duhej të japin ultimatum të prerë për lirimin e menjëhershëm të tyre, në të kundërtën edhe Kosova do të veprojë me reciprocitet ndaj pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë të Serbisë, kurdo që hyjnë në territorin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj