Elbert Krasniqi, ministër i Pushtetit Lokal, i bën thirrje BE-së t’i heq masat ndaj Kosovës, sepse thotë se edhe përkundër mundësisë për largimin e kryetarëve në Veri, Lista Serbe dhe Beogradi urdhëruan bojkotimin e procesit të votimit. Kësisoj ai shprehet se Kosova nuk mund të mbetet prapa.
Ministri Krasniqi thekson se Kosova ka zbatuar marrëveshjen e Bratisllavës dhe Kosova duhet të ecë përpara.
“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë nga komuniteti ndërkombëtar”, shprehet Krasniqi, transmeton Express.
“Ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës. Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës”, shprehet ai.
“Ne duhet të ecim përpara. Nuk mund të mbahemi prapa më nga sjellja e përsëritur destruktive e Serbisë”, përfundoi Krasniqi.
KQZ ka konfirmuar se ka dështuar shkarkimi i katër kryetarëve shqiptarë në veri për shkak të mospjesëmarrjes së qytetarëve në votime.