Kurti u bën thirrje komuniteteve joshumicë të regjistrohen: Jeni vlerë e identitet i shtetit tonë

by Nexhat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videoje në Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve të komuniteteve joshumicë që të regjistrohen.

Ai ka thënë se komunitetet joshgumicë janë vlerë e identitet i Kosovës dhe se “shoqëria jonë është e pasur” sepse komunitetet joshumicë janë pjesë e saj.

banner

Kurti ka shtuar se regjistrimi nuk është vetëm një shënim statistikor, por deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave dhe vendit të secilit qytetar.

“Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për shtetin tonë. Ai nuk është thjesht një shënim statistikor; është deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë. Nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni!”

Adresimi im i plotë i Kurtit:

Të dashur bashkëqytetarë të komunitetit serb, boshnjak, turk, ashkali, egjiptian, rom, e goran,

Tash e dy javë ka filluar një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për shtetin tonë: Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Ai bëhet çdo 10 vjet dhe është përcaktues për dekadën para neve.

Pjesëmarrja e secilit nuk është thjesht një shënim statistikor; është një deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë.

Regjistrimi i popullsisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë.

Në bazë të tij bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit. Rezultatet e tij përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore.

Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë

Regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë. Të dhënat e tij pastaj bëhen pasqyrë e politikave tona dhe përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve tona.

Regjistruesit do të vijnë derë më derë. Mirëprisni ata si mikpritës të mirë që jeni.

Komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit tonë. Shoqëria jonë është e pasur sepse ju jeni pjesë e saj. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni!

Ju falemnderit

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy