Gërmime në Prishtinë për gjetjen e dy trupave të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës

by informim

Ekipet mjekoligjore mëngjesin e sotëm kanë nisur gërmimet në varrezat e Muhaxherëve në lagjen “Mati 1” në Prishtinë pas dyshimeve për mbetje mortore për dy trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Deri tani ka përfunduar gërmimi i një lokacioni të vogël dhe ka nisur i dyti, ndërsa pritet që gjatë ditës të gërmohen edhe dy lokacione të tjera.

banner

Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Ditor Haliti dhe se këto gërmime po bëhen me urdhëresë të gjykatës.

Ai tha se deri në këto momente nuk kanë hasur në ndonjë gjetje, por po presin deri në fund të përfundimit të gërmimeve.

“Këtu jemi me urdhëresë së Departamentit Special të Gjykatës duke ekzekutuar urdhëresën në kuptim të gërmimeve dhe zhvarrimeve të mbetjeve eventuale të personave që janë zhdukur gjatë kohës së luftës. Kemi disa informata në bazë të cilat jemi duke kërkuar edhe dy individë që potencialisht mund të gjenden në këtë zonë. Ne kemi filluar sot mëngjes me punë dhe jemi ende duke punuar dhe për momentin nuk kemi gjetje, por kemi ende punë për të bërë edhe dy lokacione shtesë për t’i mbuluar kështu që të shohim deri në fund të ditës se sa do të kemi rezultate. Krejt varreza është një lokacion i tërë, por brenda saj i kemi disa mini-lokacione për momentin i kemi të identifikuar rreth 4 mini-lokacione të dytin jemi duke e përfunduar edhe dy të tjerë i kemi”, tha Haliti.

Teksa ka njoftuar se edhe më herët ka pasur gërmime në këto varreza të Muhaxherëve, ai theksoi se vështirësia më e madhe është mungesa e informacioneve të sakta.

“Përpara ka pasur këtu gërmime e zhvarrime janë zhvarrosur trupa që i kanë takuar kohës se luftës prej tyre mungojnë edhe dy persona të cilët ne jemi duke i kërkuar. Vështirësia më e madhe është informata e saktë ne kemi disa skica që janë ndarë nga ekipet ndërkombëtare që kanë punuar këtu në të kaluarën, mirëpo ato harta apo skica që janë marr në të kaluarën nuk janë edhe shumë të sakta në kuptim të interpretimit të tyre na mbetet neve të mbulojmë lokacion më të gjerë për të kuptuar a jemi në vendin e saktë apo jo”, theksoi ai.

Haliti u shpreh se së shpejti edhe në Podujevë do të ketë disa gërmime, përfshirë edhe disa lokacione të tjera që kanë mbetur pa përfunduar.

“E kemi edhe një urdhëresë ende të pazbatuar në Podujevë të cilën duhet ta planifikojmë së shpejti ta zbatojmë dhe i kemi disa urdhëresa të tjera të cilat janë ende në gjysmë të punës që kanë mbetur pa u zbatuar në tërësi që do tu kthehemi gjatë kësaj kohe”, u shpreh ai.

Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) u shpreh se përmirësimi i kushteve atmosferike ka krijuar mundësi që t’u rikthehen gërmimeve për gjetje mortore të trupave të zhdukur gjatë luftës.

Gara tha se për të katërtën herë po zhvillohen gërmime në këtë lokacion pasi ka dyshime se edhe dy trupa ndodhen në këtë lokacion.

Sfidë kryesore për identifikimin dhe gërmimet për gjetjen e trupave të personave të zhdukur sipas tij mbeten lokacionet në territorin e Serbisë për shkak të qasjes politizuese në vazhdimësi të institucioneve serbe karshi problemit.

“Është hera e katërt që po kthehemi në këtë lokacion për shkak se gjatë trajtimit të hollësishëm të të gjitha informatave kemi konkluduar që ekzistojnë mundësitë që dy trupa ose viktima ose mbetje mortore të dy kufomave të luftës potencialisht mund të jenë në këtë hapësirë të varrezave meqë nga të gjitha të dhënat që ne kemi trajtuar kemi konfirmuar se 8 viktimat që potencialisht mbi bazën e të dhënave kanë qenë të varrosura nga spitali i Prishtinës nga forcat serbe në këtë hapësirë të lokacionit deri më tani janë zhvarrosur vetëm 6 prej tyre që nuk përjashtohet mundësia që në këtë lokacion të jenë edhe dy viktima”, u shpreh Gara.

Në Kosovë ende nuk dihet fati i mbi 1,600 personave të zhdukur gjatë luftës se fundit. Më 2 maj në Bruksel në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq është arritur dakordim për Deklaratën e Personave të Zhdukur. /KP/

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy