Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak dhe Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog takuan kreun e Komunës së Mitrovicës Jugore, Bedri Hamza.
Në takim është biseduar për situatën e sigurisë së përgjithshme në Kosovë, konkretisht për zhvillimet në Mitrovicë, për çështjen e dialogut dhe atë të urës së Ibrit, me qëllim që të respektohet dhe zbatohet kushtetuta e ligjet në fuqi që garantojnë lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve.
Në vazhdim z. Lajçak shkoi edhe në Mitrovicen Veriore ku takoi përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile në zyret e BE-së. Nga ura kryesore e Ibrit, ai bëri thirrje që tema e hapjes së urës për qarkullim të rregullohet përmes dialogut.
“Unë dua që hapja e urës të jetë rezultat i stabilitetit, jo paqëndrueshmërisë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe prandaj e përsërisë gjithmonë se duhet ta përdorim dialogun si platformë për marrëveshje dhe ta përdorim atë që çdo gjë që ndodh të pranohet nga të dyja palët”. Ai potencoi se ura është pjesë e dialogut dhe është në duart e të dyja palëve.
Ndër të tjera ai tha: “Nuk duhet të imponojmë qëndrimin e njërës palë në dëm të tjetrës. Kemi diskutuar për shumë probleme dhe çështje. Ne do të vazhdojmë ta diskutojmë këtë në Bruksel të hënën. Unë dua që ne të përdorim potencialin e dialogut – të sigurohemi që njerëzit të jetojnë në paqe dhe të mos shqetësohen për ndonjë tension dhe përshkallëzim”.
Lajçak, kishte takuar në mëngjesin e së enjtes me Kryeministrin Kurti, kurse nesër (e premtë), takohet me institucionet serbe në Beograd.