Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia nuk mund ta ndalojë anëtarësimin eventual të Ukrainës në aleancës perëndimore të mbrojtjes ushtarake.
“Të gjithë aleatët pajtohen se dera e NATO-s mbetet e hapur, që Ukraina do të bëhet anëtare e aleancës dhe se Rusia nuk ka të drejtë vetoje”, tha Stoltenberg më 6 qershor.
Deklarata e Stoltenbergut erdhi gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e Sllovakisë, në Bratisllavë, për bisedime me presidentët e vendeve anëtare të aleancës në kufirin e saj lindor, të ashtuquajturin grupi i Nëntë i Bukureshtit.
Nisja e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar e ka intensifikuar aktivitetin e NATO-s, aleancës së themeluar pothuajse 75 vjet më parë për ta kundërshtuar Bashkimin Sovjetik.

