Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në Bashkësinë Islame ka pritur shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Përveç urimeve, Tërnava e Barbano folën edhe për situatën aktuale politike në vend, ku kreu i BIK-ut tha se në Kosovë s’mund të ketë dy kushtetuta e dy ligje.
“Uroj që situata në veri të vendit të kthehet në normalitet. Në Kosovë s’mund të ketë dy ligje, dy kushtetuta. Duke pasur parasysh edhe specifikat që mund t’i kenë komunitetet, shembull sot është ditë Bajrami ndërsa rrugët në Graçanicë janë të bllokuara. Nuk është në rregull”, tha Tërnava, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, Barbano i tha Tërnavës se EULEX-i do të luajë rolin e tij dhe do të sigurojë që do të ketë trajtim të barabartë për të gjithë.
“Unë e vlerësova deklaratën tuaj sot në mënyrë që të ketë dialog duke respektuar të drejtat e minoriteteve, grupeve dhe të gjitha kulturave”, tha Barbano, njofton Klankosova.tv.
Tërnava i uroi mirëseardhje Barbanos në Kosovë, i cili dy ditë më parë e mori pozitën si shef i ri i EULEX-it.