Policia e Shtetit Shqiptar ka vijuar kontrollet në liqenin e Komanit dhe lumin e Shalës, për mjetet lundruese që operojnë për qëllime argëtimi dhe lundrimi.
Në lokacionin ku ankorohen dhe nisen varkat në digen e Komanit, policia i ka inspektuar dhe ka konstatuar se 13 varka artizanale nuk përmbushnin kriteret e sigurisë dhe nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës.
Në vijim, në hyrje të liqenit të Komanit, u konstatua një traget me mbishkrimin “Rozafa”, për të cilin specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar kanë referuar materialet në Prokurori, pasi u konstatua për herë të dytë, në cenim të plotë të ligjeve për lundrim dhe të kritereve të sigurisë.
Gjithashtu, janë konstatuar edhe 5 mjete lundruese skafë, drejtuesit e të cilëve kishin autorizim për përdorim personal, por jo për të ushtruar veprimtari ekonomike si operator turistik. Drejtuesit e këtyre skafëve nuk u lejuan të merrnin pasagjerë në bord.
Nga kontrollet u konstatuan edhe 25 varka artizanale të bregëzuara në pjesë të ndryshme të liqenit të Komanit. Shërbimet e Policisë vijojnë verifikimet për të identifikuar pronarët e këtyre mjeteve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme për bllokimin e mjeteve lundruese që nuk përmbushin kushtet e sigurisë, për transportimin ditor, për qëllime turistike, të turistëve dhe vizitorëve.