Komunat kundërshtojnë Projektligjin për tatimin në pronë: “100 eurot nuk i fal Hekuran Murati”

by

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Tatimin në Pronë. Për këtë projektligj i cili parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023, opozita s’ka marrë pjesë në votim fare dhe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Por, si e pritën komunat këtë vendim?

Projektligji për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, ka kaluar të hënën në lexim të parë me votat e pushtetit, derisa opozita s’mori fare pjesë në votim.

banner

Meqë faturat e tatimit në pronë këtë vit janë më të shtrenjta shkaku i rivlerësimit të pronave, në këtë projektligj është përfshirë edhe falja e tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro.

Miratimi i këtij projektligji s’është pritur mirë nga komunat, të cilave u është lënë në dorë vendimi për faljen e tatimit deri në këtë shumë.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se komunat do të humbasin me dhjetëra miliona euro, meqë siç thotë “100 eurot nuk i fal Hekuran Murati”.

Sipas Ibrahimit, rivlerësimi i pronave ka mundur të bëhet edhe vitin e ardhshëm.

“100 eurot nuk i fal Hekuran Murati por në projektligjin e propozuar, komunave iu lihet në përgjegjësi për një falje të tillë. Ministri nuk është dashur ta ngritë faturën e tatimit në pronë përmes rivlerësimit të pronës, i cili rivlerësim ka mundur të bëhet edhe në vitin 2024 Komunat, siç dihet, kanë kërkuar që ky projekt ligj të kthehet në qeveri sepse nuk janë konsultuar fare. Komunat do humbasin me dhjetëra miliona euro”, ka deklaruar Ibrahimi”

Ibrahimi thotë se po presin që Komisionet Parlamentare t’i ftojnë kryetarët e komunave dhe AKK’në për konsultim para se të finalizohet ky projektligj.

Ai ka kujtuar se si Qeveria nuk i ka konsultuar fare për këtë projektligj, e që shpreson që Kuvendi të mos veprojë njejtë.

“Ne po presim tash që derisa të shkojë në leximin e dytë ky projektligj, Komisionet parlamentare me i ftu kryetarët e komunave dhe Asociacionin e Komunave për konsultim, sa i përket finalizimit të këtij projektligji. Po besojmë që parlamenti nuk do të veprojë njejtë siç ka vepruar Qeveria, e cila nuk I ka konsultuar fare komunat, e ky projektligj i prek komunat, i prek buxhetet e komunave.”, ka thënë Ibrahimi për Express.

Opozita s’mori pjesë në votim, paralajmëroi dërgimin e projektligjit në Kushtetuese

Opozita s’ka marrë fare pjesë në procesin e votimit për këtë projektligj. Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, paralajmëroi se do të bëjnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër këtij projektligji.

“Falja e asaj shume të cilën Qeveria e konsideron e mjaftueshme, është e pamjaftueshme. Aq më shumë që barra që po ju vjen qytetarëve është jashtëzakonisht e rëndë dhe po e vështirëson jetën në vendin tonë”, ka thënë Tahiri.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës u deklarua kundër këtij projektligji. Deputetja Hykmete Bajrami tha se me këtë projektligj, po tentohet t’u vështirësohet puna bizneseve.

“Ne si LDK, kemi propozuar që një vlerësim i tillë të pezullohet dhe tatimi në pronë të faturohet sikur më parë. Ajo çka ministri Murati të mbahet vlerësimi që është bërë në kushte të inflacionit enorm dhe t’u jepen 100 euro. Sot me ligjin që e keni propozu ju tentoni t’ua vështirësoni jetën bizneseve, atyre të cilat sot po kanë problem funksionimin”, është shprehur Bajrami.

Ndërkohë Pal Lekaj nga AAK, tha se kanë kundërshtuar këtë projektligjk, meqë ndikon që të hyrat e komunave të zvogëlohen për 70 përqind.

“Shumica e komunave të Kosovës humbin. Kemi kundërshtuar edhe në komision sepse i zvogëlon edhe të hyrat prej 70% të Komunës, ky ligj është pruar sa për të bërë politikë populliste e jo që shkon në favor të qytetarëve”, tha Lekaj.

Çfarë parashihet me këtë Projektligj?

Me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në pronën e paluajtshme, që u miratua dje në lexim të parë, parashihet falja e tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro.

“Shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se 100 Euro (njëqind euro) në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli”, parashihet me këtë projektligj.

Me këtë Projektligj, parashihet që “vendimi për faljen e tatimit në prone merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.

Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

“Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.”

Aty sqarohet edhe se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy