Kumbullat janë fruta jashtëzakonisht të shijshme dhe të preferuara nga konsumatori shqiptar.
Ato i gjejmë në ngjyra dhe forma të ndryshme në plot 2000 varitetete.
Ato përmbajnë vitamina të rëndësishme si A, C, K, B1,B2, B3 ,B-6 dhe vitaminë E.
Ky frut përmban minerale të çmuara si: kaliumi, fosfori, magnezi, hekuri, kalciumi dhe zinku. Ato janë burim i pasur fibrash dhe kanë pak kalori.
Vlerat shëndetësore të kumbullës
Kumbullat janë të mbushura me antioksidantë që janë burim i një sërë vlerash të pasura shëndetësore.
Sistemi imunitar: Kumbullat janë të rëndësishme për të forcuar sistemin imunitar falë pranisë së vitaminës C. Ato forcojnë rezistencën e trupit ndaj infeksioneve të ndryshme dhe inflamacioneve. Studimet kanë treguar që kumbullat luajnë rol parandalues për zhvillimin e qelizave të dëmshme dhe kanë vlera të mëdha në parandalimin e një sërë sëmundjeve të tjera.
Diabeti: Kumbulla ka efekt anti hiperglicemik dhe ndihmon në luftimin e diabetit. Studimet kanë treguar që konsumimi i kumbullave ndihmon në reduktimin e glukozës dhe triglicerideve në gjak. Flavonoidët që gjenden tek kumbulla kanë vlera mbrojtëse kundër rezistencës së insulinës në organizëm.
Shëndeti mendor: Studimet kanë treguar që flavonoidët e pranishëm në lëngun e kumbullës mbrojnë njeriun nga degjenerimi i trurit si pasojë e moshës. Fitonutrientët që gjenden tek kumbulla ulin inflamacionin në zonat neurologjike dhe përmirësojnë funksionet e kujtesës. Konsumimi i rregullt i kumbullave gjithashtu ndihmon në parandalimin e çrregullimeve nervore siç janë Alzheimer dhe Parkinson.
Sistemi nervor: Kumbulla përmban vitaminë B-6, që ndihmon në transmetimin e sinjaleve nervore dhe ruan funksionimin e mirë të të gjithë sistemit. Ato ndihmojnë në zhvillimin e trurit dhe formimin e hormoneve që kanë ndikim tek humori ynë.
Shëndeti kardiovaskular: Konsumimi i kumbullave ruan shëndetin e zemrës. Sipas studimeve, nëse i konsumoni kumbullat e thata rregullisht, një gjë e tillë do të përmirësojë qarkullimin e gjakut në arterie. Por jo vetëm kaq. Kumbullat parandalojnë disa çrregullime kardiake, zhvillimin e aterosklerozës dhe ulin rrezikun për atakun në zemër.
Ruan nivelet e kolesterolit: Lëngu i kumbullës ruan kolesterolin e mëlçisë në nivele normale. Fibra nga ana tjetër mbron zemrën duke ulur kolesterolin e keq dhe rritur kolesterolin e mirë. Konsumimi i rregullt i kumbullave largon ankthin dhe stresin. Sipas studimeve, kumbullat janë një burim i pasur antioksidantësh dhe acidesh që ofrojnë zgjidhje kundër disa sjelljeve të shkaktuara nga ankthi dhe dëmeve nga stresi./Agroweb