Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nga sot do të hapet fushata për informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, lanson Fushatën Informuese për Liberalizimin e Vizave”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Fushata do të lansohet në Sheshin Skënderbeu me fillim nga ora 13:00, ku lansimin do ta bëjë kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“Aktiviteti i parë do mbahet në Prishtinë për të vijuar më tej në krejt Kosovën”, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës.
Nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni,.
Qytetarëve të Kosovës nga 1 janari u mundësohet të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.
Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën. Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
Edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë ditë më parë ka dalë me një njoftim sa i përket udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se “Poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtëra”.