Ministria është vonuar me grantet e bujqësisë, bujqit e irrituar për vonesat me të mbjellurat

by engel

Ministria e Bujqësisë këtë vit pritet të ndajë 24 milionë euro për grante në bujqësi. Thirrja për aplikim akoma nuk është hapur e kjo ka shqetësuar bujqit. Nga Ministria kanë thënë për Radio Kosovën se Programi për Zhvillim Rural është në konsultim publik dhe se pas përfundimit të afateve ligjore do të shpallë thirrjet për aplikim.

Ministri Faton Peci kishte paralajmëruar se në pjesën e parë të gushtit do të aprovohet programi për grante. “Javën tjetër, ne si Qeveri, në këtë rast si ministri, presim që të aprovojmë programin për grante për vitin 2023, vlera monetare e të cilit do të jetë rreth 24 milionë euro”, kishte deklaruar ministri Peci.

banner

Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë se kur pritet të bëhet publik programi dhe të hapet thirrja për aplikim për grante.

“Ministria e ka hartuar Programin për Zhvillim Rural për vitin 2023 dhe aktualisht është duke vazhduar me hapat e tjerë ligjorë për finalizimin e këtij programi. Në kuadër të këtyre hapave tani edhe Udhëzimi Administrativ i PZhR 2023 është në konsultim publik dhe pas përfundimit të afateve të parapara ligjore, MBPZhR-ja do ta publikojë këtë program dhe do t’i shpallë thirrjet për aplikim”, kanë bërë të ditur nga Ministria e Bujqësisë, duke mos treguar ndonjë datë se kur mund shpallet thirrja për aplikim.

Ndërkohë, bujku Mehdi Bresilla, i tha Radio Kosovës se ministria është vonuar me shpalljen e thirrjes për aplikim për grante.

“Është shumë me vonesë. Jo pak, por shumë me vonesë. Thirrja duhet të hapet sa më shpejt. Edhe ne duhet të njoftohemi. Duhet të thirremi në takime e në këto takime edhe ne do t`i prezantonim disa kritere, sepse kriteret duhet të vijnë edhe prej kërkesave tona e jo vetëm prej Ministrisë së Bujqësisë”, tha ai.

Ndërsa, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, duke u ankuar për mungesë komunikimi me Ministrinë e Bujqësisë, kërkon që të mos vonohet edhe më tutje hapja e thirrjes për aplikim për grante.

“Duhet të fillohet, sepse është shumë vonë. Megjithëkëtë, bujqit janë përgatitur, pasi buxheti është i ndarë. Nëse ky buxhet që është përcaktuar për grante nuk realizohet deri në fund të vitit, ai nuk e di a ka mundësi ta shfrytëzojë më vonë, sepse çdo investim dhe çdo plasim i parave nga buxheti i shtetit e humb të drejtën të shfrytëzohet vitin e ardhshëm”, tha Tahiri.

Vonesat në shpalljen e thirrjes për aplikim dhe ndarjen e granteve ndikojnë negativisht në realizimin e projekteve në bujqësi, thotë Tahiri. Vitin e kaluar thirrja për aplikim për grante ishte hapur në fillim të muajit korrik, ndërsa viteve paraprake, kjo bëhej edhe më herët.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy