Vuçiq, Stoltenbergut: Është puna jonë se ku do ta vendosim ushtrinë

by engel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.

“Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.

banner

Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë, ku theksoi se aleanca ushtarake po e shqyrton mundësinë nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan. Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.Serbia, në periudhën e kaluar, disa herë ka vendosur trupa pranë kufirit me Kosovën.

Kurse, herën e fundit i vendosi pas sulmit në Banjskë, por e ka tërhequr ushtrinë pas ndërhyrjes diplomatike të Perëndimit.Stoltenberg, po ashtu, tha në Beograd se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.“Ne e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me Vuçiqin.

Stoltenberg tha se temë e bisedës me Vuçiqin ishte edhe sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gjatë protestës së komunitetit serb në Zveçan, në fund të majit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se “mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.“Ky do të ishte çelësi i normalizimit të marrëdhënieve. U bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog nën kujdesin e BE-së, kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm”, tha ai.

Vuçiq: Është puna jonë se ku do ta vendosim ushtrinë

Duke komentuar kërkesën e Perëndimit që Serbia të mos e grumbullojë ushtrinë e saj në kufirin me Kosovën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u përgjigj se ushtria serbe “kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat e saj”.“E, ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona”, shtoi ai.

Kur është fjala për hetimin e sulmit në Banjskë, Vuçiqi tha se “ai ka një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kupton kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit”.“Në përputhje me ligjin dhe legjislacionin vendas, ne do të mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në kryerjen e veprave penale në Banjskë”, shtoi ai.

Vuçiqi e cilësoi bashkëpunimin e Serbisë me NATO-n dhe misionin e KFOR-it, si të mirë dhe korrekt./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy