Një grup shqiptarësh të kapur së fundmi nga policia britanike vlerësoheshin nga mediat vendase si ‘kontrolluesit e tregut të kokainës në dy dekadat e fundit në vend’.
Ajo që nga jashtë dukej si një dyqan i vjetër floktoreje për burra, ishte në fakt qendra e një rrjeti të organizuar trafiku dhe lojrash ilegale bixhozi, ku trafikantët vendosnin baste në mijëra paundë dhe ‘shërbeheshin nga kameriere joshëse’, shkruan me ironi rrjeti britanik The Sun.
Strofka e fshehtë u zbulua nga policia pas kapjes së dy vëllezërve që furnizonin shpërndarësit me kokainë nga juglindja e Londrës drejt zonave të mesme e veriore të Anglisë.
Dyshja ndihmoheshin nga shpërndarës rumunë dhe fitonin deri në 4000 paundë në ditë me rrjetin që dërgonte drogat në rajone të tjera si Derbyshire, Leicestershire e Staffordshire.
Drogat shpërndaheshin për rreth 145 përdorues në ditë, shpesh të mbështjella në bileta llotarie.
Por policia tha se ka çmontuar rrjetin kriminal të ngritur nga Edmond e Eduart Haziri, pasi gjurmoi më shumë se 1 milionë mesazhe e komunikime të tyre në platforma si WhatsApp apo telefonata të dyshimta.
Dy vëllezërit bënin një jetë luksi duke blerë ora Rolex apo veshje mode nga firma si Alexander McQueen, Louis Vuitton e Moncler, shkruan The Sun.
Edmondi, 36 vjeçar, mbante në qafë një zinxhir floriri me diamante 30 karat.
Ai bashkë me Eduartin 34 vjeçar, kishin punësuar dhe kushëririn e tyre Gazmend Hoxha, 47 vjeç, dhe një shok të vjetër Alban Krasniqi, 34, që të vepronin si ndërmjetës të linjës “Eddie Line” — të cilën e kishin quajtur me emrin e një lavazhi që operonte dikur babai i tyre.
Kur policia bastisi shtëpinë e Krasniqit në Blackheath Hill, në jug të Londres vitin që shkoi, ata gjetën aty një poster të Tony Montana i filmit të vitit 1983 ‘Scarface’.
Oficerët thanë se e dinin që vëllezërit ishin lojtarë seriozë në tregun e drogave por nuk e dinin që kishin dhe një kazino ilegale.
Inspektori Kane Martin, i Derbyshire Police, tha se floktorja ishte vetëm një fasadë për aktivitetin e vërtetë: “Kur kaloje aty nuk të shkonte mendja se çfarë mund të kishte brenda, edhe pse nuk dukej si një floktore e vërtetë”.
“Strofka e pokerit dhe bixhozit ishte në bodrum dhe menaxhohej nga Edmondi”, thane autoritetet.
Vendi ishte gjithashtu pikë e rëndësishme takimi ku vëllezërit takoheshin me kushëririn e tyre Hoxha që vinte nga Leicester në veri, për të sjellë paratë e drogave.
Prindërit e vëllezërve punojnë rregullisht në një restorant dhe nuk morën akuza.
Në gjykatën e Derby u tha se banda kishte trafikuar rreth 9kg kokainë me një vlerë tregu prej më shumë se 1 milionë paundë.
Nëntë anëtarë u burgosën për një total prej 70 vjetësh, duke përfshirë nga 15 vjet burg secili për dy vëllezërit.
Hoxha u dënua me 11 vjet kurse Krasniqi nëntë. Ata pritet të apelojnë vendimin.
The Sun shton se emigrantët shqiptarë nisën të vinin masivisht në Angli në fund të viteve 1990-të e në fillim të viteve 2000, gjatë krizës së refugjatëve të Kosovës, dhe fillimisht u përfshinë në trafikun e prostitutave në qendër të Londrës.
Më pas ‘gangsterët e Ballkanit’ nisën të përplaseshin me bandat kineze e xhamaikiane për të fituar tregjet ilegale të drogave ku duket se dolën më të fituar.