Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur të papërgjegjshëm kryeministrin Kurti, për të cilin thotë se nuk ka zgjedhur gjuhë e as veprime për të ardhur në pushtet dhe se i njëjti e ka kualifikuar si tradhti, vendimin e Kushtetueses që sot kërkoi të zbatohet për Manastirin e Deçanit.
I pari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se Kurti e ka ditë që ky vendim është obligues por pavarësisht kësaj e ka përdorë si çështje për interesin personal e partiak.
“Ky është çmimi që paguan shoqëria për një politikan të papërgjegjshëm, i cili nuk ka zgjedhur as gjuhë dhe as veprime për të ardhë në pushtet, e po detyrohet që të shkelë mbi secilën fjalë përmes së cilës ka ardhur deri këtu. Kryeministri Kurti e ka ditur nga fillimi që ky vendim është obligues, por e ka përdorur këtë çështje, siç ka përdorur shumë të tjera, për të përçarë opinonin me gjuhë helmuese, duke pasur parasysh vetëm interesin personal e partiak dhe jo atë qytetar e shtetëror”, tha Krasniqi për Express.
Ai tha se nga moszbatimi i këtij vendimi, Kosova ka pësuar stagnim në ekonomi, raporte të tensionuara me ndërkombëtarët etj.
“Ju kujtohet, ka qenë vetë Kryeministri që dikur e ka kualifikuar si tradhëti një vendim të tillë, duke anatemuar e sulmuar secilin protagonist politik të vendit tonë ndër vite. Sot, është vet ai që po i zbaton këto vendime. Tani, çështja kryesore është se çfarë ka humbur Kosova: vite të shumta të humbura në agjendën e saj integruese, sanksione e masa ndëshkuese nga aleatët kryesorë e që nënkupton edhe stagnim të progresit ekonomik, tensionim të raporteve me partnerët ndërkombëtarë, si dhe humbje të respektit për shtetin tonë, mes shumë dëmeve të tjera”, shton tutje kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.