Ligji për çmimin e produkteve medicinale nuk ka filluar së zbatuari ende në Kosovë. Ai ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2023 ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë për Ekonomia Online se ky Ligj është në fazën e implementimit.
Vitia ka theksuar se deri më 16 maj do të bëhen paraqitjet e të gjitha çmimeve ashtu siç e parasheh Ligji dhe se janë formuar dy mekanizma të filtrit që mos të abuzohet me çmimin.
“Vitin e kaluar në parlamentin e Republikës së Kosovës ka kaluar Ligji për nivelizimin e çmimit të barnave. Ky Ligj është në fazën e implementimit. Deri më datën 16 maj do të bëhen paraqitjet e të gjitha çmimeve ashtu siç e parasheh ligji por në këtë drejtim, kemi formuar dy mekanizma të filtrit që mos të abuzohet me çmimin. Përveç çmimeve që vijnë nga prodhuesi i kemi edhe çmimet referente nga rajoni dhe me implementimin e këtij ligji që do të ndodh gjatë këtij viti jo vetëm farmacistët që do të jenë të lumtur në këtë drejtim por të gjithë qytetarët e Republikës do të jenë zakonisht të lumtur sepse do ti themi njëherë e mirë stop por në mënyrë ligjore abuzimeve që kanë ndodhur me çmimet e barnave”, ka thënë ministri Vitia për Ekonomia Online.
Ministri Vitia ka thënë se ka pasur raste kur një medikament në vendet tjera ka pasur një shumë të caktuar e te ne është shitur me dyfishin ose trefishin e çmimit e ku shpesh herë, sipas tij, pa të drejtë janë akuzuar farmacistët.

