“Pas 14 vitesh beteja ligjore, Julian Assange është i lirë të shkojë në shtëpi”. Kështu u tha gazetarëve avokatja Jennifer Robinson jashtë gjykatës në ishullin Saipan, ku u mbajt marrëveshja e themeluesit të WikiLeaks me drejtësinë amerikane.
Gjykatësi Ramona Manglona pranoi deklarimin e tij të fajësisë për komplot për marrjen dhe zbulimin e dokumenteve të fshehta të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe e liroi atë për shkak të kohës që ai kishte kryer dënimin tashmë në një burg britanik. Gjatë seancës dëgjimore tre-orëshe, Julian Assange u deklarua fajtor siç kërkohet nga marrëveshja: “Duke punuar si gazetar, inkurajova burimin tim të jepte informacione që pretendohej se ishin të klasifikuara për t’i bërë publike,” tha ai në gjykatë.
“Unë besoja se Amendamenti i Parë e mbronte këtë aktivitet, por e pranoj se ishte … shkelje e Aktit të Spiunazhit ,” shtoi Assange. Kujtojmë se themeluesi i WikiLeaks qëndroi i burgosur për pesë vjet në burgun e sigurisë maksimale në Belmars, pasi i kaloi shtatë vitet e mëparshme në ambasadën e Ekuadorit në Londër.
52-vjeçari Assange u largua nga Saipan me avion privat për në Canberra, Australi, i shoqëruar nga ambasadorët australianë në SHBA dhe Britani. “Sot është një ditë historike”, tha avokatja mbrojtëse Jennifer Robinson. “Është një lehtësim i madh për Julian Assange… për miqtë e tij, familjen, mbështetësit e tij, për ne, për këdo që beson në fjalën e lirë në mbarë botën… që ai tani mund të kthehet në Australi dhe të ribashkohet me familja e tij”, shtoi avokatja.