Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në emisionin “DPT te Fidani” ka thënë se pa dorëheqjen apo shkarkimin e Mimoza Kusari-Lilës, e cila sipas tij ka koordinuar veprimet me Radoiçiqin, ata nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
“Pas publikimit të një bisede mes Radoiçiqit dhe Mimoza Kusari-Lilës, rezulton se ata janë dakorduar për ligjin për Pagën Minimale, i cili i prek të gjithë qytetarët e Kosovës me moshë pune. Kjo është një dakordim i tyre që ka vendosur se kush të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”, tha Tahiri.
Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje (VV) nuk ka pasur koordinim me opozitën dhe u shpreh: “Ne do të marrim çdo veprim të mundshëm për të parandalua çdo gjë që na vjen prej tyre. Ne e kemi bërë të qartë se pa u dorëhequr apo pa u shkarkuar nga kryetarja e grupit parlamentar të VV-së, e cila duket se çdo gjë e ka koordinuar me Radoiçiqin, ne nuk i votojmë.”
Tahiri përfundoi duke e përshkruar situatën si “luftë hibride” të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj të vërtetave që kanë dalë: “Ata nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me asnjë prej tyre dhe nuk e mohojnë se është zëri i tyre, vërtetësinë e këtyre bisedave.”