Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar se nëse shtrenjtohet energjia elektrike prej 35 për qind, ashtu siç po paralajmërohet, atëherë do të ketë shtrenjtim të çmimit të produkteve, gjë që do ta varfëroj edhe më tepër xhepin e konsumatorit kosovar.
Ai ka paralajmëruar se kjo rritje do të krijojë probleme të mëdha, sidomos për bizneset që eksportojnë dhe kanë kontrata me çmime fikse me partnerë të jashtëm. Sipas tij, ndryshimi i papritur i çmimeve do të vështirësojë konkurrencën e tyre në tregun ndërkombëtar.
Rafuna ka përmendur edhe sfidat me të cilat tashmë po përballen disa sektorë të ekonomisë, si gastronomia, ndërtimtaria dhe industria tekstile, të cilat kanë shënuar rënie të qarkullimit dhe kërkesës. Një rritje e mëtejshme e çmimit të energjisë, sipas tij, do ta përkeqësonte edhe më shumë këtë situatë.
‘’Do të ketë rënie të qarkullimit dhe do të ketë vështirësi të mëdha. Edha ashtu bizneset kanë shumë sfida e vështirësi të funksionojnë, shembull kemi gastronominë që iu ka rënë qarkullimi, pastaj te ndërtimtaria ka rënë kërkesa për blerje, pastaj tek tekstili ka rënë qarkullimi, ndërsa një rritje e tillë e energjisë elektrike normalisht se do t’i shtrenjtojë të gjitha produktet’’, potencoi kryetari I OEK.
Sipas përfaqësuesit të biznesve kosovare edhe periudha e zgjedhur për këtë shtrenjtim të rrymës është e paarsyeshme, pasi që, sipas tij, nuk është logjike kjo të ndodhë në pranverë dhe verë, kur konsumi i energjisë është më i ulët. Rafuna theksuar se nëse nuk intervenohet me rritje të pagave ose ndonjë formë tjetër mbështetjeje do të jetë problem.
‘’Në qoftë se nuk intervenohet me rritje të pagave ose nëse nuk gjendet një mënyrë se si me e zbutë këtë rritje të çmimit të energjisë elektrike do të kemi shumë problem. Kërkesa jonë konsiston në atë se ne po hyjmë kah pranvera dhe nuk e shohim të nevojshme që të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, ka logjikë nëse kjo rritje bëhet dimrit, mirëpo jo në sezonin e pranverës e verës’’, përfundoi Rafuna.