Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, ka njoftuar për takimin e të hënës me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë -Beograd të cilit ia ka përçuar qëndrimin partiak rreth procesit të mëtutjeshëm të dialogut për normalizim me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE.
Krasniqi i ka cekur e theksuar në rrjete sociale pritshmëritë nga procesi i lehtësuar nga Bashkimi Evropian i cili do të duhej të përmbyllej me njohje të ndërsjellë.
“Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, prita Emisarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Gjatë takimit, riafirmova qëndrimin tonë të palëkundur se dialogu duhet të ketë për synim një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, e cila garanton njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.”
Në njoftim nënkuptohet se ujditë e deritanishme nuk ishin të kënaqshme deri tani dhe e shohin të nevojshme një qasje të re më kosntruktive.
“Marrëveshjet provizore që zvarrisin procesin dhe krijojnë pasiguri nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit afatgjatë. Prandaj, është e rëndësishme që ky proces të rifillojë me energji të re, qasje konstruktive dhe fokus të qartë në rezultatet konkrete.”
Më tutje ka vërejtje edhe rreth qasjes së mungesit të një ekulibri në qasjen ndaj palëve duke theksuar se sanksionet e vëna ndaj Kosovës duhen hequr.
“Po ashtu, nënvizova pritshmërinë tonë që Bashkimi Evropian të ruajë një qasje të ekuilibruar, duke respektuar parimet e barazisë dhe reciprocitetit në të gjitha fazat e dialogut. Njëkohësisht, Emisarit Sørensen ia ritheksova kërkesën tonë që BE-ja të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat po cenojnë padrejtësisht mirëqenien e qytetarëve tanë.”
Bashkimi Evropian deri tani s’ka dhënë sinjale se ka ndryshim të qasjes apo rinegociimit të ujdive, e kundërta. Pritshmëria është se procesi do të vazhdojë aty ku ka ngelur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani nga të dy palët, me mekanizma të ndëshkimit të ndërlidhura me euro-integrimet dhe programe financiare për palët, ndaras për secilën dhe varësisht prej progresit të zbatimit të ujdive të pajtuara.