Të premten, kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka arsyetuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%. Ai thënë se kjo rritje është bërë 100% duke u bazuar në inflacionin global.
Rreth kësaj rritje, ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo ka deklaruar se zbatimi i vendimit të ZRRE-së do të ketë pasoja të rëndë për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Deputetja Bajrami thotë se janë disa fakte që sipas saj duhet të thuhen zëshëm:
- Shumica e familjeve nuk paguajnë 50€ në muaj, por më shumë.
- Rritja prej 15% e çmimet të energjisë për shpenzuesit komercial (bizneset) është drejtpërdrejtë kosto shtesë për të gjitha produktet dhe shërbimet e tyre.
- Rritja e çmimit të energjisë është goditja e parë, por jo e fundit, sepse kur bizneseve u rriten shpenzimet, atëherë çmimet e të gjitha produkteve bazë do të rriten përsëri si: çmimi i bukës, qumështit, vajit, sheqerit, transportit dhe çdo produkti tjetër të domosdoshëm për jetesë.
- Pra, standardi i jetesës në vitin 2025 do të jetë më i ulët se ai i vitit 2020.
Shto këtu faktin se ZRRE-ja po i hedh në treg të hapur 1000 kompanitë më të mëdha të vendit. Sipas vendimit të ZRRE-së nga 1 qershori i këtij viti KESCO nuk e ka obligim t’i furnizoj më me energji elektrike këto kompani, ato duhet ta blejnë energjinë në tregun e hapur. Praktikisht kjo do të thotë se këto 1000 kompani nuk mund ta blejnë energjinë që prodhon KEK-u, por duhet të blejnë energji të importuar me çmim se paku dyfish me të shtrejt (shih çmimet në bursë), me që rast një pjesë e tyre edhe mund të falimentojnë, disa do të përfundojnë me largim nga puna të punëtorëve për të ulur shpenzimet, e të gjitha do të detyrohen t’i rrisin çmimet për të mbijetuar, gjë që do t’i bëj ato jo konkurruese në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar, rrjedhimisht kjo qon deri te lulëzimi i importit edhe ashtu tepër i lartë.
Tutje, Bajrami ka deklaruar nga vendimi për shtrenjtim të energjisë elektrike përfiton KESCO.
“Përgjigja: KESCO dhe tregtarët e energjisë, apo siç i quante Kurti kur ishte në opozitë: “mafia energjetike”. Është e qartë se zbatimi i këtij vendimi çon drejt rrënimit të ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, thotë Bajrami.
Tutje, ajo ka shkruar se sipas ZRRE-së, në Kosovë janë 19 kompani të licencuara për tregti me energji elektrike, e në mesin e tyre kish të tilla që hynë në top dhjetëshen e kompanive kosovare për nga qarkullimi, për vitin 2024.
“Vetëm ky fakt tregon mjaftushëm në çfarë gjendje jemi”, pohoi ajo.
Ndryshe, të premtën, Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka arsyetuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%. Ai thënë se kjo rritje është bërë 100% duke u bazuar në inflacionin global.
Sipas tij, edhe pse kemi pasur rritje të çmimit të energjisë në tri vitet e fundit, Kosova ende mbetet në fund të listës së vendeve me çmimin më të lirë të energjisë elektrike.
Fejzullahu thekson se rritja e çmimit është e domosdoshme për të mbuluar kostot e importit, të cilat ose duhet t’i paguajë konsumatori, ose të subvencionohen nga qeveria.