Përfaqësuesit e Listës Serbe, Dragisha Miloviq dhe Igor Simiq, u takuan sot me shefen e UNMIK-ut, Karolina Zijade, dhe me këtë rast diskutuan për seancën e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën do të paraqitet raporti gjashtëmujor i UNMIK-ut mbi situatën në Kosovë.
Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan vazhdimin e dukshëm të dhunës institucionale ndaj serbëve, madje edhe ndaj të miturve dhe fëmijëve të nacionalitetit serb dhe boshnjak, të cilët kohët e fundit janë rrahur dhe privuar padrejtësisht nga liria nga Policia e Kosovës.
Gjithashtu, u theksua fakti se një mandat i popullit serb në Kuvendin e Kosoves është rrëmbyer dhe nga “regjimi i Prishtinës” i është dhënë Nenad Rashiqit, përkatësisht Lëvizjes Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
U theksuan presionet që institucionet kosovare po ushtrojnë ndaj serbëve, duke përfshirë bastisje të pajustifikuara ndaj bizneseve, arrestime të serbëve për krime lufte pa prova dhe faktin që sulmuesit ndaj serbëve zakonisht mbeten të pandëshkuar.
Zonja Zijade u informua se Lista Serbe mbështet punën e UNMIK-ut në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kërkon që raporti të pasqyrojë situatën reale në terren dhe vuajtjet e popullit serb./KO