Propozimin e LDK-së për krijimin një qeverie unifikuese, që përfshinë në Qeveri tranzicioni të gjitha partitë shqiptare, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, vitin që vjen, Partia Demokratike e Kosovës do ta diskutojë nesër në Kryesi.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nesër do të diskutojnë për të gjitha zhvillimet politike dhe hapat tutje.
”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë. Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Krasniqi për Klan Kosova.
Ndryshe, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar sot ftesën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për koalicion.
Abdixhiku ka dalë me një propozim të ri, për krijimin e një qeverie siç tha ai unifikuese, që përfshinë në Qeveri tranzicioni të gjitha partitë shqiptare, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, vitin që vjen.
Për këtë propozim, Abdixhiku tha se është i gatshëm të takohet me të gjitha partitë shqiptare, përfshirë edhe VV-në.
“Zgjidhjen nga kjo bllokadë e konsideron si të doemosdoshme. Propozoijmë nisjen e një procesi të ri politk. […] LDK propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ me të gjitha partitë shqiptare, me qellim fillimin e një qeverie nacionale të tranzicionit, një qeveri me afat të caktuar, deri në zgjidhjen e Presidentit”, u tha Abdixhiku sot gazetarëve pas takimit me kryesinë e LDK-së.
Refuzimin për koalicion, Abdixhiku ia ka kumtuar Kurtit përmes një letre.
Në këtë letër, Abdixhiku ka kërkuar që të bëhet një qeveri e tranzicionit dhe i ka përmendur arsyet përse nuk mund të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje.
“LDK zgjidhjen dhe daljen nga kjo bllokadë e vlerëson si urgjente dhe të rëndësisë nacionale. Zgjidhja kërkon përgjegjshmëri, unitet dhe vetëdije të lartë politike nacionale në lidhje me rrethanat politike në vend dhe në skenën ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.
Mungesa e besimit e rrezikimi i aleancave dhe demokracisë, janë disa prej arsyeve përse nuk mund të bëhet bashkëpunimi mes dy partive.
“I nxitur nga konsiderata për votuesit tuaj, qytetarët e Republikës së Kosovës, ndjej nevojën që edhe nëpërmjet kësaj letre t’i përsërisë qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet që keni ngritur ju. Lidhja Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ka garuar me një program të qartë dhe me qëndrime të qarta sa i takon bashkëpunimit politik. LDK-ja për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin 4 vjeçar të vendit nën udhëheqjen tuaj, rrezikimin e aleancave strategjike, të sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, mosrespektimin e vendimeve të këtyre institucioneve, mbi të gjitha polarizimin e thellë shoqëror, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me ju”, thuhet në letrën e Abdixhikut.