Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se kjo parti ka nisur zyrtarisht fazën e parë të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale 2025. Në një takim të mbajtur sot me kryetarët e degëve të LDK-së, është diskutuar fillimi i organizimit dhe strukturimit të procesit zgjedhor në nivel komunal.
Sipas Abdixhikut, gjatë javëve në vijim LDK do të zhvillojë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë. “Synimi ynë është të identifikojmë njerëz me integritet, aftësi profesionale dhe gatishmëri për të kontribuar me dinjitet në shërbim të qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së ka ftuar të gjithë qytetarët që ndajnë vlerat dhe vizionin politik të kësaj partie të bëhen pjesë aktive e procesit zgjedhor. “LDK mbetet shtëpi e vlerave të qëndrueshme dhe vizionit të qartë për zhvillimin e komunave”, ka shtuar Abdixhiku, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së gjerë në këtë rrugëtim politik.
LDK hyn në këto zgjedhje me një bilanc të konsiderueshëm nga cikli i kaluar, ku fitoi nëntë komuna dhe siguroi 206 këshilltarë lokalë. Me këtë përvojë dhe mbështetje, partia pretendon të sjellë edhe një herë fitore bindëse në nivel lokal.
“Na priftë e mbara!”, përfundon mesazhin e tij Abdixhiku, duke sinjalizuar nisjen e një periudhe të re mobilizimi për partinë që ai drejton.