Prishtinë, 8 maj 2025 — Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish në lidhje me bllokimin e punës në Kuvendin e Kosovës, ku partitë politike ende nuk po arrijnë të sigurojnë shumicën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Përmes një deklarate publike, Abdixhiku ka theksuar se koha nuk duhet humbur më dhe se LDK ka ofruar zgjidhjen e saj për tejkalimin e ngërçit institucional.
“Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët,” deklaroi Abdixhiku. Ai kritikoi mbajtjen e mbledhjeve të përsëritura pa ndonjë rezultat të qartë, duke theksuar se LDK nuk do të lejojë të bllokohet nga një situatë pa vizion.
Në këtë kontekst, kreu i LDK-së njoftoi se partia po përqendrohet në përgatitjet për Zgjedhjet Lokale 2025, që pritet të mbahen në vjeshtë.
“Sot kam thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ dhe përgatitor për Zgjedhjet Lokale. Po hyjmë në këtë proces me vullnet, bindje dhe përgatitje – kemi plot 6 muaj kohë,” tha Abdixhiku.
LDK, si fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, aktualisht qeveris në nëntë komuna dhe ka 206 këshilltarë lokalë. Abdixhiku theksoi se partia do të nisë konsultimet e brendshme për nominimet e kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë, duke u fokusuar në përzgjedhjen e njerëzve me integritet dhe vullnet për të shërbyer.
“LDK i ka dyert e hapura për secilin. LDK mbetet e juaja. LDK mbetet dashni!”, përmbylli deklaratën e tij kreu i LDK-së.