AAK e çon në Kushtetuese votimin e fshehtë në Kuvend – Haradinaj: Seancat janë bërë model i papjekurisë shtetërore

by engel

Prishtinë, 12 Maj 2025 – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, përveç kësaj, AAK ka dorëzuar edhe vendime të tjera të natyrës së njëjtë që lidhen me seancat e kaluara dhe ato të fundit, të cilat janë karakterizuar nga dështimi për konstituimin e Kuvendit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se kjo iniciativë është ndërmarrë në bashkëpunim me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me qëllim të saktësimit të shkeljeve kushtetuese dhe gjetjes së një zgjidhjeje për ngërçin politik që ka paralizuar institucionet.

banner

“Loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet. Seancat e përsëritura çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë sonë shtetërore”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për ndërhyrje në mënyrën e votimit, duke e quajtur këtë një “shkelje të rëndë të Kushtetutës”, pasi – sipas tij – është ndërruar forma e votimit në mes të procesit me “diktat partiak”.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, është kërkuar edhe masë e përkohshme për të ndalur seancat që, sipas AAK-së, po e “shpërfytyrojnë Parlamentin” dhe nuk sjellin asnjë produkt institucional.

“Dëmet nga kjo bllokadë nuk janë vetëm politike, por edhe ekonomike për vendin dhe qytetarët. Në këtë situatë pa rrugëdalje, e vetmja derë që na mbetet është Gjykata Kushtetuese,” ka theksuar Haradinaj, duke shprehur shpresën se vendimi do të jetë i shpejtë.

Gjendja aktuale në Kuvend vazhdon të mbetet e pasigurt, me 14 tentativa të dështuara për ta konstituuar atë, ndërsa tensionet ndërmjet partive politike po thellohen për çdo ditë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy