Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të 15-të me radhë të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke shprehur keqardhje për situatën e rënduar politike dhe institucionale që po kalon vendi. Sipas tij, përgjegjës për këtë gjendje është Lëvizja Vetëvendosje, e cila, siç thekson ai, po insiston në një kandidaturë që nuk gëzon mbështetjen e nevojshme parlamentare.
“Seanca për konstituimin e Kuvendit ka dështuar sërish, tashmë për herë të 15-të. Kam keqardhje për situatën në të cilën gjendet vendi dhe institucioni, si shkak i qasjes së papërgjegjshme të LVV-së,” deklaroi Krasniqi.
Ai theksoi se PDK ka qenë e qartë në qëndrimin e saj dhe ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që të ndërrohet kandidatja e propozuar, e cila nuk i ka votat për t’u zgjedhur. “Ne po kërkojmë dhe insistojmë që ta ndërrojnë kandidaten, por ata nuk po e bëjnë. Edhe shtetet më të zhvilluara i ndryshojnë kandidatët, madje SHBA ka ndërruar edhe kandidatin për garën presidenciale kur është parë e domosdoshme,” shtoi ai.
Krasniqi e kritikoi LVV-në për mungesë të reflektimit dhe për vazhdimin e një loje politike që po e paralizon vendin. “LVV është vetëdijshme se nuk i ka votat, por megjithatë po vazhdon. Ky ngërç po i kushton vendit dhe qytetarëve.”
Në këtë situatë, kreu i PDK-së u zotua se partia e tij do të japë kontribut për të gjetur një zgjidhje dhe për të zhbllokuar procesin. “Si PDK, do të angazhohem maksimalisht që të ndihmojmë në zhbllokimin e situatës dhe kthimin e normalitetit institucional.”
Në fund, ai përshëndeti nismën e Presidentes së Republikës për të mbledhur partitë politike në një tryezë diskutimi. “Më vjen mirë që presidentja i ka ftuar subjektet politike. Dua të shpresoj që aty të gjejmë një zgjidhje të kësaj situate të papranueshme.”
Zhvillimet e fundit e kanë thelluar krizën politike në Kosovë, ndërsa qytetarët presin me padurim një zgjidhje që do të rifunksionalizojë institucionet dhe do t’i japë fund bllokadës që po zgjat prej javësh.