Ish-kryetari i Komunës së Suharekës dhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, pritet të aderuar sot në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Ky aderim në LDK për Kuçin përfaqëson një rikthim pas 17 vitesh në partinë ku dikur kishte vepruar politikisht.
Pas një pauze disa vjeçare nga jeta politike, që pas largimit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në vitin 2022, Kuçi rikthehet sërish në skenën politike, kësaj here si pjesë e subjektit të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku.
Zyrtarizimi i aderimit të tij në LDK pritet të ndodhë këtë të premte në orët e pasdites.
Ky zhvillim vjen në prag të zgjedhjeve lokale, duke ngritur pikëpyetje nëse Kuçi do të kandidojë për kryetar të Suharekës, tash si përfaqësues i LDK-së. Megjithëse një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar, ndikimi i tij në këtë komunë është i njohur, sidomos për përkrahjen që i kishte dhënë Bali Muharremajt, që për shumëkënd ishte vendimtare për fitoren e këtij të fundit në zgjedhjet lokale.
Blerim Kuçi u largua nga AAK-ja në vitin 2022 për t’u fokusuar në angazhimet e tij në biznes. Para kësaj, ai kishte shërbyer si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti.