Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën Çeke, ku është pritur me nderime nga Kryetari i Komunës së Liberecit, Jaroslav Zámečník. Vizita po zhvillohet në praninë dhe mbështetjen e Ambasadores së Republikës së Kosovës në Çeki, znj. Albesjana Iberhysaj.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetari Ferati ka bërë të ditur se kjo vizitë po shërben si pikënisje për ndërtimin e një bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet Komunës së Istogut dhe asaj të Liberecit.
Gjatë takimit zyrtar u diskutuan tema me interes të ndërsjellë për qeverisjen lokale, përfshirë:
Transparencën institucionale
Arsimin dhe përfshirjen e qytetarëve
Menaxhimin e burimeve njerëzore
Inspektoratin komunal
Zhvillimin urban dhe politikat mjedisore
Ky bashkëbisedim u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për shkëmbim përvojash dhe për aplikimin e modeleve të suksesshme në qeverisjen komunale të Istogut.
Delegacioni nga Istogu vizitoi gjithashtu Bibliotekën Regjionale të Liberecit, ku u njoh nga afër me funksionimin dhe organizimin e saj. Në këtë drejtim, u shpreh edhe gatishmëria për bashkëpunim në fushën e edukimit dhe kulturës.
Një tjetër moment i rëndësishëm i vizitës ishte ndalesa tek qendra e komunitetit hebre të qytetit, ku delegacioni kosovar u njoh me historinë dhe rolin e komunitetit në jetën qytetare të Liberecit.
Në fund të vizitës, kryetari Ferati falënderoi nikoqirin Zámečník për pritjen e përzemërt, si dhe ambasadoren Iberhysaj për rolin e saj në fuqizimin e lidhjeve institucionale mes dy vendeve. Ai e cilësoi këtë vizitë si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një qeverisje lokale moderne, të hapur dhe të orientuar drejt standardeve evropiane.
Vizita në Çeki konfirmon përkushtimin e Komunës së Istogut për të ndërtuar ura bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë dhe për të avancuar në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovativ.