Prishtinë, 19 maj 2025 – Për të 18-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës u mblodh sot në përpjekje për t’u konstituuar dhe për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, por pa sukses. Mungesa e konsensusit politik dhe tensionet ndërpartiake vazhdojnë ta mbajnë peng formimin e institucioneve të reja të vendit.
Seanca e paraparë të fillonte në ora 10:30 u karakterizua që në nisje nga vonesat dhe mungesa e seriozitetit. Pamjet televizive treguan një sallë pothuajse të zbrazët, ndërsa deputetët nuk treguan angazhimin më të vogël për të qenë në kohë. Kjo neglizhencë u kritikua ashpër nga analistët, të cilët e konsideruan papërgjegjësi politike dhe mosrespektim të qytetarëve.
Në qendër të përplasjes politike është Lëvizja Vetëvendosje, e cila befasoi me ndryshimin e metodës së votimit për kryetarin e Kuvendit – nga votim i hapur në votim të fshehtë – gjatë vetë procesit. Ky vendim u mor nga kryesuesi i Kuvendit, i cili mban postin për shkak të moshës dhe jo mandatit politik, dhe i cili sipas kundërshtarëve veproi nën ndikimin e partisë së tij.
Ky veprim ka shkaktuar që në fillim reagime të ashpra nga partitë tjera opozitare, të cilat refuzuan të marrin pjesë në votim, duke e bllokuar procesin për shkak të mungesës së kuorumit. Votimi sot në senacen e 18-të për formimin e komisionit zgjedhor përfundoi me 52 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim – pra një rezultat formal që nuk i dha legjitimitet procesit.
Ndërkohë, para se të niste seanca, Vetëvendosje propozoi që mbledhjet e Kuvendit të thirreshin vetëm një herë në javë – propozim ky që bie në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Partitë opozitare e refuzuan menjëherë këtë ide, duke argumentuar se situata kërkon angazhim të shtuar dhe më shumë seanca, e jo më pak.
Kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, përmes deklaratave për media, e akuzuan kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po zvarrit qëllimisht krizën politike dhe nuk ka vullnet për zgjidhje. Sipas tyre, nëse Kurti do të ishte i interesuar për zgjidhje, ai do të tërhiqte kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe do të propozonte një emër të pranueshëm për të gjitha palët.
Përfundimisht, edhe kjo përpjekje për konstituimin e Kuvendit dështoi, duke zgjatur edhe më tej krizën institucionale që po e paralizon vendin prej javësh.