Zëvendëskryeministrja në largim dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në largim, Donika Gërvalla, ka reaguar me tone të ashpra ndaj aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale që përfshiu ministrin në largim të Bujqësisë, Faton Peci.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla e cilësoi këtë veprim si një “inskenim të gërditshëm” dhe akuzoi drejtpërdrejt prokurorin Blerim Isufaj për udhëheqjen e një aksioni të motivuar politikisht.
Sipas saj, ndërhyrja ndaj Pecit është një akt hakmarrjeje ndaj përkushtimit të tij për të luftuar korrupsionin brenda sektorit të bujqësisë. “Ministri Peci është ministri më shembullor i këtij mandati,” shkroi Gërvalla, duke shtuar se figurat e pastra politike po njollosen me qëllime të errëta nga vetë institucionet që duhet të mbrojnë rendin dhe ligjin.
“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë,” theksoi ajo në reagimin e saj publik.
Reagimi i saj përfundon me një mesazh të qartë: “Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë.”
Ndërkohë, ministri Faton Peci është duke u intervistuar nga organet e drejtësisë në cilësinë e të dyshuarit. Aksioni ndaj tij ka të bëjë me dyshimet për dhënien pa ankand publik të impiantit shtetëror për përpunimin e mbetjeve shtazore kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” për një afat 20-vjeçar.
Kjo ngjarje ka nxitur reagime të forta në opinionin publik dhe pritet të sjellë zhvillime të tjera në ditët në vijim.