Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka ngritur alarmin për çështjen e sigurisë në vend, duke deklaruar se Beogradi zyrtar ka vendosur 70 përqind të ushtrisë në jug dhe jo larg kufirit me Kosovën.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi vlerëson se duhet të pranojmë faktin që Kosova është ekspozuar para një situate të rëndë sigurie, por jo e rrezikuar në mënyrën se si Maqedonci i ka deklaruar mediave.
“Ne kemi një prezencë të shtuar të KFOR-it, i cili zbaton programin e NATO-s dhe bazohet në Rezolutën 1244 ku ka përgjegjësi ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës, pastaj kemi trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës të mirë-përgatitura, dhe po ashtu kemi Policinë e Kosovës që është treguar edhe konkretisht se sa është e gatshme te ballafaqohet me situata që mund të konsiderohen komplekse ose të rënda të sigurisë”, deklaroi Elezi për emisionin Ora 7 në Klan Kosova.
Sipas tij, Maqedonci dhe Qeveria e Kosovës duhet te ndërmarrin veprime konkrete për të parandaluar ndonjë rrezik.
“Derisa kemi një deklaratë të tillë të Maqedoncit, nuk ka edhe një plan standard te sigurisë së Policisë së Kosovës në plane operative emergjente, që nënkupton angazhimin e jashtëzakonshëm dhe emergjent të operatorit të sigurisë që janë Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë, dhe madje ne nuk kemi parë që FSK-ja ka mbajtur edhe nivelin e lartë të sigurisë siç është vendosja e pjesëtarëve në kazermë, pra as FSK-ja nuk është në alarm, derisa ka një protokoll sa i përket ngritjes se emergjencës kur rrezikohet Kosova, siç ka paralajmëruar ministri Maqedonci”, tha Elezi.