Nga sot, qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut do të kalojnë më lehtë kufirin në pikëkalimin Glloboçicë–Jazhincë, ku është përuruar zyrtarisht kontrolli i përbashkët kufitar sipas modelit “hyrje-hyrje”.
Ky është pikëkalimi i dytë që funksionon në këtë format, pas atij në mes të Hanit të Elezit dhe Bllacës.
Modeli “hyrje-hyrje” mundëson që udhëtarët të kontrollohen njëherësh nga të dy vendet, duke eliminuar ndalesat e dyfishta dhe duke përshpejtuar ndjeshëm lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Kjo praktikë është vlerësuar si një shembull konkret i bashkëpunimit efikas ndërmjet dy shteteve fqinje.
Ambasada e Kosovës në Shkup ka përshëndetur këtë zhvillim, duke theksuar se projektet e tilla nuk kanë vetëm efekt logjistik, por ndikojnë edhe në thellimin e marrëdhënieve bilaterale.
“Ky përurim është pas lehtësimit dhe suksesit të regjimit të ri në Hani i Elezit/Bllacë. Këto projekte përveç që lehtësojnë dukshëm qarkullimin e qytetarëve, janë në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit bilateral”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë figura të larta zyrtare nga të dyja vendet, përfshirë ministrin e Brendshëm në largim të Kosovës, Xhelal Sveçla, zëvendëskryeministrin e Parë të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti dhe ministrin e Brendshëm të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski.