Edhe pse ende nuk është publikuar një komunikatë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – dega në Gjilan, entuziazmi në rrjetet sociale ka lënë pak vend për dyshime: Kryesia e Degës ka vendosur unanimisht që Arbër Ismajli të jetë kandidati zyrtar për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Postimet e shumta nga zyrtarë dhe aktivistë të LDK-së në këtë komunë flasin për një vendim të qartë dhe të bashkuar, pa asnjë votë kundër, që e konfirmon besimin e plotë të partisë në lidershipin e Ismajlit.
Ky vendim i jep Ismajlit dritën jeshile për të filluar aktivitetet partiake për të kërkuar një mandat katërvjeçar në krye të Gjilanit, duke hyrë në garë me përkrahjen e palëkundur të strukturave lokale të LDK-së.
Pavarësisht mungesës së një njoftimi zyrtar nga dega, reagimet në terren janë tregues i qartë se LDK po hyn në zgjedhje me një strategji të konsoliduar dhe me një kandidat që ka dëshmuar besueshmëri brenda partisë dhe më gjerë.
Kujtojmë se Prsesidentja ende nuk e ka caktuar datën e saktë të zgjedhjeve lokale që parashikohen të mbahen në vjesht të këtij viti, megjithatë, muaji tetor apo nëntor, janë dy muajt e mundshëm kur qytetarët do të dalin në zgjedhje për kryetar dhe asamblenë e qytetit.