Prishtinë, 30 maj 2025 – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka adresuar shqetësimet e tij përpara se të hynte në seancën e 24-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar krizën e thellë ekonomike me të cilën po përballen bizneset dhe qytetarët.
Tahiri deklaroi se qeveria aktuale po shkakton kriza të mëdha, të cilat po rrezikojnë vendet e punës të mbi 140 mijë punëtorëve. “Bizneset dhe qytetarët po ballafaqohen me kriza të mëdha të shkaktuara nga kjo qeveri, po rrezikohet që të mbesin pa punë mbi 140 mijë punëtorë,” tha Tahiri.
Ai theksoi rolin e opozitës në këtë situatë, duke pohuar se deputetët e PDK-së janë vazhdimisht në kundërshtim me politikat qeveritare. “Ne si deputetë po e kundërshtojmë vazhdimisht këtë qeveri, kjo nënkupton se jemi në krye të detyrës,” shtoi ai.
Në fund, Tahiri shprehu shqetësimin se situata mund të përkeqësohet ndjeshëm nëse Albin Kurti rikthehet në krye të qeverisë. “Më keq mund të bëhet vetëm nëse Albin Kurti vjen prapë në krye të qeverisë,” përfundoi deputeti i PDK-së.