Para hyrjes në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku sot mbahet mbledhja e 25-të e seancës për konstituimin e Kuvendit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), z. Lutfi Haziri, ka dhënë një deklaratë para mediave, duke theksuar krizën e thellë politike që po përjeton vendi.
Haziri tha se situata e sotme është një përsëritje e vazhdueshme e mungesës së vullnetit politik për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe të shpejtë. “Jemi vonë. Kjo situatë është bërë neveritëse jo vetëm për qytetarët, por edhe për ne si përfaqësues në Kuvend,” deklaroi ai.
Sipas tij, për LDK-në çështja nuk lidhet me ndonjë emër të caktuar të propozuar për pozita të ndryshme, por me nevojën për respektim të parimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit. “Kosova është në krizë politike për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe rrjedhimisht të qeverisë, e cila duhet të formohet në hapin e radhës,” u shpreh Haziri.
Deputeti i LDK-së gjithashtu ngriti shqetësime rreth legjitimitetit të procesit politik në vend. Ai kritikoi situatën ku persona të njëjtë ushtrojnë funksione të dyfishta si deputetë dhe si anëtarë të qeverisë, duke e konsideruar këtë një pengesë serioze për demokracinë dhe funksionalitetin institucional.
“Kemi probleme serioze me legjitimitetin e procesit. Ky vend edhe kështu ka rënë shumë poshtë dhe nuk mund t’ia lejojmë vetes të pauzojmë kaq gjatë,” përfundoi Haziri.
Seanca e sotme pritet me interes, ndërsa qytetarët e Kosovës mbeten në pritje të zgjidhjes së bllokadës politike që ka penguar funksionalizimin e institucioneve që nga zgjedhjet e fundit.