Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Siç njofton Presidenca, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë situatën e krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, si dhe për raportet bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Osmani dhe Hargreaves theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha me interes të përbashkët, si mbrojtja, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, theksoi rëndësinë e thellimit të partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si garanci për paqen dhe stabilitetin në vend dhe në rajon”, thuhet në njoftim. Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e institucioneve demokratike të Kosovës, duke e cilësuar atë si një partner strategjik.