Pas dështimit të 29-të për konstituimin e Kuvendit, zëdhënësi dhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka deklaruar se gjatë kësaj jave partia e tij do të publikojë 15 pikat e agjendës së propozuar për një qeveri të unitetit.
“Deri tash, LDK ka ofruar një propozim në formë publike për një qeveri të unitetit. Gjatë kësaj jave do të publikojmë një 15 pikësh të agjendës së kësaj qeverie,” tha Mustafa.
Ai theksoi se refuzimi i kësaj ideje, pa një alternativë të qartë, mund të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke e konsideruar këtë një skenar të dëmshëm për vendin.
“Një qeveri e unitetit me një agjendë të caktuar dhe me një afat të përcaktuar është ajo që LDK ka ofruar si zgjidhje, dhe është fatkeqësi që LVV e ka refuzuar apriori,” u shpreh Mustafa.
Ai shtoi se LDK nuk insiston ta drejtojë qeverinë e unitetit, por se përmbajtja e saj kërkon një figurë të unitetit që do të mund të bashkonte spektrin politik.
Pritet që gjatë kësaj jave të detajohen pikat e agjendës së propozuar, ndërsa mbetet e paqartë nëse kjo iniciativë do të gjejë mbështetje të gjerë.