Banka Qendrore e Kosovës (BQK) organizoi takimin e parë të Këshillit Kombëtar të Pagesave për vitin 2025, ku u theksua përkushtimi institucional për përfshirje financiare, transformim digjital dhe përgatitje për anëtarësim në Zonën SEPA.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, deklaroi se anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore, duke ulur kostot e transfereve ndërkufitare dhe duke rritur efikasitetin e sistemit të pagesave në vend.
“Një ndër prioritetet tona kyçe mbetet anëtarësimi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA. Ky proces nuk është vetëm një reformë teknike, por një transformim strukturor në përputhje me vizionin tonë për integrim evropian dhe rritje të konkurrueshmërisë ekonomike,” theksoi Ismaili.
Ai bëri të ditur se BQK ka dorëzuar aplikimin preliminar për anëtarësim në SEPA më 20 dhjetor 2024 dhe po punon intensivisht me institucione financiare rajonale dhe evropiane për të lehtësuar qasjen e bankave në skemat SEPA.
Përveç përgatitjeve për SEPA, BQK është e fokusuar në ndërtimin e një sistemi modern për pagesa të menjëhershme, përmes projektit TIPS Clone, në bashkëpunim me Bankën e Italisë. Po ashtu, janë në zhvillim shërbime si QR kodet, Request to Pay, si dhe integrimi me rrjete të pagesave globale si SWIFT dhe Nexi.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi digjitalizimin e pagesave si një mekanizëm kyç për uljen e kostove për qytetarët dhe luftimin e ekonomisë informale.
Takimi vuri në pah edhe bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë si IFC dhe Banka Botërore në modernizimin e sistemit të pagesave në Kosovë, duke mundësuar standardizimin e IBAN-it, lidhjen e Regjistrit të Llogarive me platformën e-Kosova, si dhe qasjen në Apple Pay dhe PayPal.
Me këtë qasje, Kosova synon të bëhet pjesë e sistemit të pagesave evropiane, duke fuqizuar sektorin financiar dhe lehtësuar transaksionet për qytetarët dhe bizneset.