Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka deklaruar se një mesazh i qartë nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, duhet të shërbejë si sinjal për formimin e një qeverie të re në Kosovë, pa përfshirjen e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një deklaratë për media, Tahiri ka thënë se përfshirja e Kurtit në udhëheqje i ka shkaktuar dëme vendit, veçanërisht në marrëdhëniet me administratën e mëparshme amerikane të udhëhequr nga Trump.
“Kosova duhet që sa më shpejt të sigurohet që të ketë një qeveri të re dhe të mos vazhdojë më tutje Kurti. Kurti ka një rekord të dëmshëm në raport me administratën e parë të Trump,” u shpreh Tahiri.
Sipas tij, paralajmërimi i fundit i Trumpit duhet të merret seriozisht nga të gjitha partitë opozitare, të cilat, siç thotë ai, duhet të bashkohen për të ndërtuar një qeveri të re.
“Nëse deri sot kemi pasur dyshime në atë se a duhet të vazhdojë apo jo, pavarësisht që ka dalë si parti në zgjedhje, paralajmërimi i Trumpit na dërgon një mesazh të qartë se duhet të angazhohemi maksimalisht të gjitha partitë tjera që kemi qenë në opozitë, vendit t’i japim një qeveri të re pa përfshirjen e Albin Kurtit dhe të VV-së,” tha ai.
Tahiri theksoi se përfshirja e VV-së në qeverisje mund të dëmtojë interesat strategjike të vendit.
“Përfshirja e VV-së në raport me administratën e Trumpit do t’i bëjë dëm vendit tonë,” përfundoi ai.