Në një përshkallëzim të ndjeshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara kanë nisur evakuimin e diplomatëve jo-thelbësorë dhe familjarëve të tyre nga ambasada amerikane në Izrael, për shkak të shqetësimeve në rritje për sigurinë në terren.
Dy zyrtarë amerikanë konfirmuan për mediat se një grup i vogël diplomatësh dhe anëtarë të familjeve të tyre janë larguar nga Izraeli me një aeroplan qeveritar, pas kërkesës së tyre për evakuim.
Ky veprim u ndërmor si masë paraprake në përgjigje të situatës së përkeqësuar pas sulmeve ajrore të ndërsjella mes Izraelit dhe Iranit.
Vetëm pak pas largimit të diplomatëve, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckbee, publikoi një njoftim në platformën X, ku bëri të ditur se ambasada është duke organizuar fluturime dhe transport detar për qytetarët amerikanë që duan të largohen nga vendi.
“Ndërsa situata mbetet e paqëndrueshme, po punojmë për të ndihmuar qytetarët tanë që të evakuohen në mënyrë të sigurt,” shkroi Huckbee në postimin e tij.
Ky evakuim vjen në sfondin e përplasjes së vazhdueshme ushtarake midis Izraelit dhe Iranit, pas goditjeve të ndërsjella që kanë përfshirë objekte strategjike dhe zona urbane.
Misionet diplomatike të huaja në Izrael po shqyrtojnë gjithashtu planet e tyre emergjente në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm.