Paralajmërohen protesta pas skadimit të afatit 10 ditor – Bizneset presin reagimin e ZRRE-së

by engel

Sot përfundon afati 10-ditor që komuniteti i bizneseve i kishte dhënë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për pezullimin e vendimit që detyron kompanitë të furnizohen me energji nga tregu i hapur.

Ky ultimatum, i vendosur gjatë protestës së 11 qershorit, ka shërbyer si kufi final për institucionin që akoma nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtar.

banner

Përfaqësues të bizneseve paralajmërojnë masa më të ashpra në ditët në vijim, përfshirë bllokimin e rrugëve nacionale dhe autostradave, nëse kërkesat e tyre injorohen.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), theksoi se vendimi i ZRRE-së po minon funksionalitetin ekonomik të vendit duke rrezikuar mbi 143 mijë vende pune.

“Vendimi po favorizon ndërmarrjet e vogla, ndërsa po dëmton korporatat që mbajnë shtyllat e ekonomisë. Kjo po na çon drejt një politike të fragmentuar që nuk mbështet zhvillimin e qëndrueshëm,” tha Shahini.

AKB njoftoi se tashmë tri kompani kanë ndalur përkohësisht operacionet, kanë reduktuar numrin e punëtorëve apo janë futur në faza riorganizimi, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të politikës së furnizimit me energji.

Sipas Shahinit, vetëm dy protestat e kaluara kanë sjellë mbi 10 milionë euro humbje ekonomike, për shkak të pezullimit të prodhimit dhe ndërprerjes së operacioneve logjistike.

Ai paralajmëroi se protestat gjithëpërfshirëse me bllokim rrugësh, nëse realizohen, mund të paralizojnë qarkullimin dhe të përshpejtojnë rënien e indikatorëve ekonomikë.

Ndërkohë, KEK-u ka ofruar furnizim me energji për gjashtë muajt e ardhshëm, por me çmime të tregut të hapur, që sipas komunitetit të biznesit, mbetet ekonomikisht i papërballueshëm.

Bizneset kërkojnë një rishikim të menjëhershëm të politikave të furnizimit me energji dhe pezullimin e detyrimit për dalje në treg të hapur.

Ndërkohë, sytë janë kthyer te ZRRE-ja, e cila ende nuk ka komentuar mbi përfundimin e afatit dhe presionin në rritje nga sektori privat.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy