Në ambientet e Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren u mbajt ceremonia e inaugurimit të Këndit Italian, një hapësirë e dedikuar për promovimin e kulturës, gjuhës dhe literaturës italiane në Kosovë.
Ky kënd është realizuar falë mbështetjes së KFOR-it Italian, i cili ka financuar pajisjen dhe sistemimin e tij, në kuadër të përkushtimit për bashkëpunim ndërkulturor dhe përkrahjes së arsimit të lartë në Kosovë.
Në ceremoni morën pjesë Rektori i Universitetit, Prof. Assoc. Dr. Mentor Alishani, Colonel Francesco Errico, komandant i KFOR-it Italian, përfaqësues të misionit ushtarak italian, staf akademik, studentë dhe përfaqësues nga institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Rektori Alishani falënderoi KFOR-in Italian për mbështetjen konkrete dhe theksoi se “kjo hapësirë simbolizon jo vetëm miqësinë mes Kosovës dhe Italisë, por edhe përkushtimin tonë të përbashkët për përparim arsimor, kulturor dhe ndërkombëtarizim.”
Colonel Francesco Errico shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim dhe theksoi rëndësinë e projekteve që forcojnë lidhjet mes komuniteteve dhe krijojnë mundësi për të rinjtë.
Këndi Italian do të shërbejë si një burim i vlefshëm për studentët dhe studiuesit, i pasuruar me libra, materiale didaktike dhe aktivitete kulturore që lidhen me trashëgiminë italiane.
Universiteti “Ukshin Hoti” mbetet i përkushtuar të ndërtojë ura bashkëpunimi me misionet ndërkombëtare dhe institucionet akademike në mbarë botën, në funksion të ngritjes së cilësisë dhe përvojës studentore.
Kliko në fotografi për më shumë info nga ngjarja: