Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, edhe sot do të vazhdojë takimet me përfaqësues të partive politike, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për krizën institucionale që po zvarrit konstituimin e Kuvendit.
Takimet vijnë pas raundit të parë të zhvilluar të mërkurën, ku Osmani priti në zyrën e saj liderët e partive kryesore politike, përfshirë Albin Kurtin (Vetëvendosje), Memli Krasniqin (PDK), Lumir Abdixhikun (LDK) dhe Ramush Haradinajn (AAK).
Sipas Presidencës, Osmani u ka bërë thirrje liderëve që të arrijnë një pajtueshmëri brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. “Ky afat nuk guxon të shpërdorohet, për hir të qytetarëve dhe funksionimit të demokracisë,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Ftesat vazhdojnë, partitë e vogla përfshihen në dialog
Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci, konfirmoi se është ftuar për takim nga presidentja Osmani sot në ora 09:00. Po ashtu, edhe deputetja boshnjake Duda Balje ka pranuar ftesë për të marrë pjesë në takimet e së enjtes.
Kjo tregon një përpjekje të zgjeruar të Presidencës për të përfshirë në dialog edhe partitë e vogla dhe përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë, të cilët mund të jenë faktorë kyç në arritjen e një konsensusi parlamentar.