Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të 41-tën herë me qëllim konstituimin e legjislaturës së nëntë, në një tjetër përpjekje për të zhbllokuar krizën institucionale që ka zgjatur me muaj.
Seanca është thirrur për në orën 11:00, në vazhdën e një situate politike të tensionuar dhe pa marrëveshje mes subjekteve kryesore parlamentare.
Kjo përpjekje e radhës vjen vetëm një ditë pas takimit të mbajtur në Presidencë, ku presidentja Vjosa Osmani priti liderët politikë për të diskutuar mbi rrugëdaljen nga ngërçi institucional. Megjithatë, sipas deklaratave të dhëna pas takimit, asnjëra nga palët nuk ka treguar gatishmëri për kompromis. Pozicionet mbesin të pandryshuara
Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kuvend, po insiston që zgjedhja e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, të bëhet përmes një votimi të fshehtë – kërkesë kjo që kundërshtohet nga ish-partitë opozitare, të cilat kërkojnë një proces të hapur dhe transparent.
Presidentja Osmani ka theksuar se vonesat e mëtejshme rrezikojnë funksionimin demokratik të institucioneve dhe ka bërë apel për përgjegjësi politike e kushtetuese nga të gjitha palët.