Ish-ambasadorja e Kosovës në Romë, Lendita Haxhitasim, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të Gjeneralit të njohur italian, Mauro Del Vecchio – një prej figurave kyçe në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999.
Në një postim të bërë në faqen e saj zyrtare në Facebook, Haxhitasim shpreh dhimbjen për humbjen e një prej personaliteteve që kontribuoi ndjeshëm në çlirimin dhe stabilizimin e Kosovës pas luftës.
“Me keqardhje të thellë mësova për zhdukjen e gjeneralit Mauro Del Vecchio, gjeneralit të parë italian që hyri në Kosovë me NATO-KFOR. Më 12 qershor 1999, nën udhëheqjen e tij, Brigada Bersaglieri u vendos në Pejë në kuadër të brigadës shumëkombëshe NATO-KFOR,” ka shkruar Haxhitasim.
Ajo ka kujtuar bashkëpunimin e saj me gjeneralin gjatë asaj periudhe vendimtare dhe takimet e mëvonshme në Itali, ku ai vazhdoi të jetë një zë i rëndësishëm për paqen dhe zhvillimin në Kosovë.
“E fundit ishte vitin e kaluar, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, kur i dhurova një pllakë mirënjohjeje në shenjë falënderimi për shërbimin dhe kontributin e dhënë në ndërtimin e një të ardhmeje të paqes dhe prosperitetit në Kosovë,” shkruan ajo.
Gjenerali Del Vecchio është shpallur edhe qytetar nderi i Pejës – një nder që pasqyron mirënjohjen e thellë të popullit kosovar për rolin e tij në ditët vendimtare të pasluftës.
Ish-ambasadorja përmbyll reagimin e saj me ngushëllime për familjen dhe të gjithë ata që e kanë njohur, duke theksuar se kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë dhe zemrat e qytetarëve të Kosovës.
“U prehsh në paqe, Gjeneral Mauro Del Vecchio,” përfundon ajo.